Gjendet foshnja e braktisur në aeroport, autoritetet detyrojnë inspektimin e pasagjereve

Nga A2 CNN
26 Tetor 2020, 11:20 | Bota
Gjendet foshnja e braktisur në aeroport, autoritetet detyrojnë

Me qëllime të mira, por të zbatuara në mënyrë të diskutueshme, autoritetet e aeroportit në Doha të Katarit kanë rënë pre, disa ditë më parë, e një gafe me pasoja ndërkombëtare.

Ngjarja ka ndodhur në aeroportin ndërkombëtar Hamad, aty ku një foshnje e sapolindur u gjet e braktisur nga personeli i strukturës nga e cila kalojnë rreth 40 milionë pasagjerë në vit.   

Drejtuesit e aeroportit vendosën të merrni një masë tejet të diskutueshme, që ka shkaktuar protestën e opinionit publik, por edhe të institucioneve.

Sipas burimeve, një pjesë e mirë e grave që ndodheshin në terminalin ku u gjet foshnja u zbritën nga aeroplanët ose u morën nga salla e pritjes ku ndodheshin, për t’u grumbulluar në një sallë ku sipas dëshmitarëve janë detyruar të kryejnë një ekzaminim mjekësor të cilësuar nga vetë gratë si të "thelluar", për të vërtetuar amësinë e bebes.

Sipas grave, “ata u trajtuan në mënyrë skandaloze, fyese, e papërshtatshme dhe pa asnjë informacion paraprak”. Një pjesë e madhe e grave të ekzaminuara ishin australiane, dhe nuk është çudi që reagimi më i fortë të vinte pikërisht nga Kanbera. “Nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë në jetën time, kjo është diçka vërtetë shqetësuese dhe fyese”, deklaroi ministrja e Jashtme australiane, Marisa Payne, që ka premtuar protestë zyrtare ndaj autoriteteve të Katarit.  

Pavarësisht testimit skandaloz të pasagjereve, e ëma e foshnjës nuk është gjetur, por të paktën vogëlushi gëzon shëndet të plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos