Tregu i punës në rajon, të rinjtë nuk gjejnë veten në profesionet që ofrohen

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2021, 16:52 | Ekonomi
Tregu i punës në rajon, të rinjtë nuk gjejnë veten

Një ndër objektivat kryesore të “Open Balkan”, e deklaruar fuqishëm nga liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është lëvizja e lirë e njerëzve, që do të mundësojë edhe punësim pa burokraci në vendet respektive.

Kjo nëpërmjet krijimit të një tregu të përbashkët dhe zone të vetme ekonomike. Por të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se tre vendet e përfshirë në nismën e “Open Balkan” kanë nivele të ndryshme papunësie, ku lista kryesohet nga Maqedonia e Veriut me 17.,2%, Shqipëria me 11.6% dhe Serbia me vetëm 9%. Një tregues që dëshmon edhe për diferenca në produktivitet dhe zhvillim të ekonomive respektive. 

Nikola Ristic, ekspert për zhvillimet ekonomike në rajon shpjegon se krijimi i një zone ekonomike të përbashkët mund të jetë pozitive, por tregu duhet të përshtatet me aftësitë dhe formimin e të rinjve. 

“Duhet të përshtatim njohuritë që të rinjtë tani marrin në shkolla me nevojat e tregut. Sipas studimeve të rinjtë nuk janë të kënaqur me cilësinë e arsimit sepse ai nuk i përgjigjet mundësive për punësim. Prandaj e rëndësishme të fokusohemi te reformimi i arsimit bazuar jo vetëm të aftësitë, por dhe kurrikulat e nevojshme”, tha Ristiç.

Sipas statistikave, 52% e të rinjve e mendojnë të ardhmen e tyre jashtë vendeve të Ballkanit. Kjo do të thotë se nisma “Open Balkan”, e përqendruar aktualisht vetëm në lehtësimin e tregtisë mes palëve dhe zhvillimin e bujqësisë, duket të krijojë mundësi në sektorë të tjerë, për të cilët të rinjtë të kenë interes dhe të mos braktisin vendet e tyre. 
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos