Gjermania riatdheson 3 gra dhe 12 fëmijë nga kampet në Siri

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2020, 07:40 | Bota
Gjermania riatdheson 3 gra dhe 12 fëmijë nga kampet në Siri

Gjermania riatdhesoi të shtunën tri gra dhe 12 fëmijë nga kampet në verilindje të Sirisë, për arsye humanitare.

Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha të dielën se ishte "shumë i lehtësuar" për kthimin e fëmijëve dhe tri nënave të tyre.

"Këto janë raste humanitare, veçanërisht jetimë dhe fëmijë me sëmundje, raste në të cilat largimi nevojitej urgjentisht. Ky lajm i mirë para Krishtlindjes na bën të sigurt se do të jemi në gjendje të organizojmë edhe kthimin e rasteve të tjera”, tha Maas, duke shtuar se qeveria do të përkrahë kthimin e të tjerëve në javët dhe muajt e ardhshëm. Ai theksoi se kthimi u organizua në bashkëpunim me Finlandën, e cila riatdhesoi gjashtë fëmijë dhe dy gra.

E përjavshmja gjermane Bild am Sonntag raportoi se të trija gratë ishin larguar nga Gjermania në vitet e fundit për t'u bashkuar me të ashtuquajturin grupi i Shtetit Islamik në Siri. Gazeta identifikoi gratë si Merve A., Yasmin A. dhe Leonora M.

Prokuroria federale e Gjermanisë tha të dielën se një shtetase gjermane me emrin Leonora M. ishte arrestuar pas mbërritjes së saj në aeroportin e Frankfurtit. Ajo akuzohet për anëtarësim në grupin terrorist Shteti Islamik, dhe krime kundër njerëzimit.

Qindra evropianë, përfshirë gratë e reja, u larguan nga kontinenti në vitet e fundit për t'u bashkuar me radhët e të ashtuquajturit grup i Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Disa vdiqën, ndërsa të tjerët u arrestuan dhe u ndaluan nga autoritetet turke, kurde ose irakiane, të cilat kanë qenë të etur për t'i deportuar ata dhe fëmijët e tyre përsëri në Evropë. Megjithatë, qeveritë evropiane kanë hezituar të marrin përsëri qytetarët e tyre shpesh të radikalizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos