
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, u takua këtë të mërkurë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, në selinë e PS.
“Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim. Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Gjiknuri pas takimit përmes një postimi në Facebook.
Përveç tij, Yuri Kim zhvilloi një takim edhe me Enkelejd Alibeajn, në kryesinë e Kuvendit, në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, ndërsa do të takohet edhe me përfaqësues të Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)