
Dy ditë pas arrestimit të tij në territorin Kosovar për llogari të SPAK, Indrit Taullai, ish-anëtar i bandës së Durrësit, doli para gjykatës së Prizrenit për caktimin e masës së sigurisë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi lënien e tij në paraburgim për një afat 40 ditor, kohë gjatë së cilës pritet të kryhet ekstradimi drejt Shqipërisë.
Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Taullai do të qëndrojë në qeli si i dyshuar për veprat penale “vrasje me paramendim”, “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Në vendimin e gjyqtarit Artan Serjani arsyetonte masën e “arrestit me burg” me rrezikun e Taullait për t’iu shmangur hetimit dhe faktin se lënia e tij në liri do të vështirësonte ekstradimin. Ndonëse ka ende një komunikim zyrtar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë për llogari të cilit episod kriminal është arrestuar, A2 ka mësuar se Taullai dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur në zonën e Durrësit në vitin 2019.
Indrit Taullai u prangos në Prizren në 6 dhjetor, një ditë pasi kishte kaluar kufirin tokësor Shqipëri-Kosovë. Ai ishte i lirë prej qershorit 2017, kur u lirua para kohe për arsye shëndetësore nga Gjykata e Lartë, teksa vuante dënimin me 25 vite burg si anëtar i “bandës së Durrësit”. (A2 Televizion)