
Xhaxhai i 25-vjeçarit të vrarë, në orët e para të ditës së sotme, ka deklaruar për mediat se i riu nuk ka pasur armë me vete.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha”, ku sipas njoftimit të Policisë i riu nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë, në dukje armë zjarri. Ky i fundit e ka plagosur me armën e shërbimit dhe më pas i riu ka ndërruar jetë në spital. Më pas, policia njoftoi se, “gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R., i cili nuk iu bind urdhrit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar”.
Xhaxhai i 25-vjeçarit mohon që nipi i tij të ketë qenë i armatosur: “Kam dëgjuar që thonë se ka pasur armë, por kjo është absolutisht e pavërtetë. Ai ka qenë i sëmurë, është kuruar me ilaçe për nervat. Ka qenë edhe i shtruar në spital. Ai nuk ka pasur armë. Ka punuar me babain e tij, ka qenë i lodhur, është shtrirë në krevat dhe ka dalë në orën 2 të natës për të pirë kafe. Vëllain e ka njoftuar policia se i kanë arrestuar djalin. Ka shkuar në polici dhe aty i kanë thënë se djali ka pasur aksident me policinë. Më pas, i kanë thënë që ka vdekur”. (A2 Televizion)