
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për kërkesën e kryeministrit që kërkonte saktësimin e kompetencave për emërimin e ministrave. Sipas gjykatës, presidenti gëzon të drejtë të bëjë verifikimin e emrave që propozohen për poste në kabinetin qeveritar, duke nënvizuar se kreu i shtetit nuk mund të refuzojë asnjë kandidat që plotëson kushtet.
Refuzimi në rastet e papërligjura konsiderohen nga ana e gjykatës si përfshirje e presidentit në politikë. Me zbardhjen e këtij vendimi, duket se i jepet zgjidhje edhe krijimit të kabinetit të ri qeveritar të dale nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Sipas gjykatës, në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, “Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe ai i ndarjes dhe balancimit të pushteteve” dhe “kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tri organeve të mësipërme”.
“Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”, lexohet në vlerësim.
Por, Gjykata Kushtetuese thekson se "kur nuk ka shkaqe që ndalojnë dikë të bëhet ministër, Presidenti do ta bëjë emërimin që i kërkohet nga Kryeministri, ndryshe Presidenti do të përfshihej në jetën politike. Pastaj është Kuvendi që ia jep ose ia heq besimin. Arsyet për të cilat mund të mos e emërosh një ministër janë të gjitha ato që e ndalojnë një person të bëhet deputet (fq.405). Dekreti i shkarkimit të ministrit është i detyrueshëm". (A2 Televizion)