Kryesia e Partisë Demokratike miratoi thirrjen e Kuvendit Kombëtar në datën 17 korrik ku në rendin e ditës është edhe zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar. Kryesia mori këtë vendim pavarësisht faktit se mandati i këshillit aktual me në krye Bujar Nishanin, i cili ishte një nga kritikët kryesorë të Lulzim Bashës gjatë zgjedhjeve të brendshme, përfundon pas më shumë se një viti. Kryedemokrati paralajmëroi një betejë të ashpër kundër mazhorancës, duke paralajmëruar luftë në të gjitha frontet.
“Demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës. Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”.
Kryesia miratoi edhe metodologjnë e analizës së zgjedhjeve ku drejtuesit e degëve do duhet të japin llogari për rezultatin e 25 prillit dhe nëse do jetë e nevojshme do ketë zgjedhje edhe në struktura. Fatbardh Kadilli që mori pjesë në garën e 13 qershorit, kërkoi që propozimet që shpalosi gjatë fushatës për kryetar të merren në konsideratë nga lidershipi aktual i partisë.
“Të merret parasysh manifesti im politik për të ringritur PD”.
Procesi i analizës pritet të ketë përfunduar brenda shtatorit të ardhshëm. (A2 Televizion)