
Çfarë roli do të kenë kandidatët humbës në PD? Këlliçi: Të gjithë janë asete të vlefshme
Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputet i zgjedhur në 25 Prill, ishte i ftuar në studion e “Absolut 4”, në A2, ku komentoi analizën që e pret PD-në në ditët në vazhdim.
“Nuk mund të themi që në këtë fushatë, kemi bërë gjithçka perfekte. Edhe unë vetë nuk kam qenë 100% perfekt dhe analiza duhet bërë e vërtetë, për të nxjerrë mësime nga gabimet tona dhe për të shkuar në Kuvendin Kombëtar me një raport të detajuar nga të gjithë demokratët. Pa harruar faktimin e masakrës elektorale”, tha Këlliçi.
Në lidhje me këtë të fundit, Këlliçi theksoi: “Ka qenë me të vërtetë një masakër elektorale, pasi e kam këtë informacion nga njerëzit që ishin në terren. Tani është momenti t’i faktojmë. Unë kam denoncuar vetë masakrën elektorale në Qarkun e Durrësit, kam përmenduar 72 emra, kam përmenduar kallëzimet që kemi bërë në SPAK dhe ende nuk kemi informacion pas dy muajsh se çfarë po ndodh me këto kallëzime. Sot që flasim, unë jam i kallëzuar për shpifje. Detyrën ne e kemi kryer, i kemi referuar gjërat në organet ligjzbatuese. Betejës ligjore do t’i shkojmë deri në fund. Më pas, do të dalë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, që më pas të vendosim aksionin tonë politik për muajt dhe vitet në vijim. Pra, do të vendoset agjenda që do të ndjekim”. (për më shumë)
Çfarë nuk bëri siç duhet PD-ja në fushatë? Këlliçi: Kandidatët duhet të ishin shpallur kohë më përpara
Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se “do të kishte qenë më mirë nëse kandidatët për deputetë dhe ekipi garues i PD-së do të ishin shpallur zyrtarisht kohë më përpara, që të kishim më shumë kohë për të takuar më shumë qytetarë dhe të denonconim më shumë shkelje”.
“Por, ky është qëndrimi im. Ka persona të tjerë në PD, me më shumë eksperiencë, që mendojnë që nuk është kjo më e mira. Se si do të dalim në konkluzione, kjo mbetet për t’u parë gjatë analizës. Unë gjykoj që këtij procesi nuk duhet t’i shpëtojnë as aleatët e Partisë Demokratike, çfarë kontributi kanë sjellë në fushatë, çfarë fushate kanë bërë, sa kanë ndihmuar me vota dhe a mund të kishte qenë më mirë një kandidat i PD-së në një zonë të caktuar apo një aleat në zonë të sigurt? Votat e tyre duhen parë të përkthyera në mandate”, u shpreh Këlliçi. (për më shumë)
Vurmo: Procesi i zgjerimit ka nevojë për riformatim, ndryshe BE po humbet kredibilitetin
E ardhmja e procesit të zgjerimit ka nevojë për riformatim, përndryshe BE po humbet çdo lloj kredibiliteti në këtë proces. Këtë mendim shprehu në studion e “Absolut 4”, politologu Gjergji Vurmo. Sipas tij kjo është një situatë absurde dhe është radha e BE-së që të japë një sinjal mbështetjeje për vendet e Ballkanit Perëndimor, që siç thotë ai nuk mund mbeten peng i këtyre absurditeteve.
“Jemi në situatë absurde dhe unë mendoj që është radha e be të japë një sinjal për mbështetje dhe përfshirje në këtë kontekst. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë histori të ndërlikuar me njëra-tjetrën. Nuk mundet një proces zhvillimor të mbetet peng i të tilla absurditeteve. Ne kemi pasur , por historia nuk mund të rishkruhet nga politikanë aq më tepër nga politikanë populistë që shfrytëzojnë pozitat e forcës. Do të ishte gabim i jashtëzakonshëm, jo vetëm për këto dy shtete, por për vetë BE dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit që ka nevojë për një reset (riformatim) përndryshe be po humbet çdo lloj kredibiliteti”. (për më shumë)
Bullgaria vë veton për Maqedoninë e Veriut, Neziri: Kjo çështje prek identitetin kombëtar
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po zvarriten në procesin e integrimit edhe pas PO-së së zgjerimit nga viti i kaluar. Bullgaria ka vënë veton për Maqedoninë e Veriut, çka ndikon edhe për vendin tonë, pasi dy vendet nuk mund të vijojnë të ndara në këtë proces.
Nga Maqedonia e Veriut gazetari Xhelal Neziri komentoi në “Absolut 4” takimin e sotëm mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe homologut bullgar Boyko Borisov. Sipas tij nga ky takim pritej që të arrihej një marrëveshje për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit, në bazë edhe të propozimit bullgar, sipas të cilit procesi i integrimit të ecte paralelisht me problemin e gjuhës.
“Kjo ishte një vizitë që pritej me shpresë në Maqedoninë e Veriut. Kishte një dozë optimizmi që nuk do të arrihej të zgjidhej problemi i gjuhës, por do të arrihej një marrëveshje që do të zhbllokonte procesin e negociatave të BE. Ky bazohej në propozimin portugez. Problemi i gjuhës të mbarte te procesi i stabilizim-asocimit dhe të mos pengohej ecja përpara e Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë në BE. Procesi i integrimit dhe zgjidhjes së gjuhës të shkonte paralelisht”, deklaroi ai. (për më shumë)
Integrimi në BE, Gjipali: Nëse ky proces pengohet është i asgjësuar që në negociata
Nevojën për një qasje ndryshe në procesin e zgjerimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e shikon edhe politologu Gledis Gjipali. Në studion e “Absolut 4” ai tha se problematika nuk vjen vetëm nga vendet e Ballkanit, por edhe nga vendet anëtare të BE.
“Këto problematika po vijnë e theksohen. Surpriza e parë nisi me përplasjen e Sllovenisë e Kroacisë muajt e fundit të firmosjes së traktatit të anëtarësimit. Nëse hapet kjo “Kuti e Pandorës” në Ballkan nuk do të kemi përfundim të procesit, mjafton një prej vendeve të hyjë i pari do bllokojë për arsye të ndryshme të vendet e tjera. Ka nevojë për një përqasje ndryshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por siç po shohim problematika po vijnë edhe nga vende jashtë Ballkanit. Është një problematikë që duhet të zgjidhet, se procesi është shumë i gjatë, një pjesë e fajit është e vetë vendeve që synojnë anëtarësimin që nuk prodhojnë dot reformat e duhura, por edhe situata nga vendet anëtare të BE nuk është pozitive”, thotë Gjipali. (për më shumë)
Mosmarrëveshjet mes vendeve të Ballkanit, Neziri: Një ndikim më i madh nga SHBA mund të gjejë zgjidhje deri më 6 tetor
Për gazetarin nga Maqedonina e Veriut Xhelal Neziri mosmarrëveshjet mes vendeve të Ballkanit do të vijojnë të zgjidhen me ndërmjetësim. Në studion e “Absolut 4” ai tha se popujt e Ballkanit nuk kanë nivel diplomacie që problemet t’i zgjidhin vetë. Lidhur me veton e Bullgarisë ai shprehet se problemi me të nuk mund të zgjidhet me dekret apo marrëveshje, por mund të zgjasë me dekada. Sipas tij propozimi portugez është i duhuri për zgjidhjen e problemit.
“Mosmarrëveshjet mes vendeve të Ballkanit është parë që nuk janë zgjidhur vetëm por me ndërmjetësim europian dhe amerikan, dhe kështu vazhdon të jetë. Janë të grumbulluara shumë probleme që popujt e Ballkanit nuk kanë një nivel diplomacie që t’i zgjidhin vetë. Problemi kryesor është këmbëngulja e bullgarisë që të ketë një perspektivë për atë që ka ndodhur para vitit ‘45. Pasi sipas tyre populli maqedonas është formuar nga ‘45 kur është unifikuar gjuha maqedonase, ka qëndrime që unë besoj nuk zgjidhen me dekret apo marrëveshje është debat shkencor që mund të zgjasë me dekada. Propozimi portugez është një bazë e mirë për t’u zgjidhur problemi. Projektet e ndryshme rajonale janë në kuadër të stabilizim asocimit”, deklaron Neziri. (për më shumë)
Vurmo: Paketa e mbështetjes rajonale e BE mund të jetë edhe në këmbim të mos anëtarësimit
Paketa e mbështetjes rajonale nga BE që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, mund të ketë edhe risk, nëse kjo është në këmbim të mos anëtarësimit në BE. Këtë dyshim ngriti në në Absolut 4 politologu Gjergji Vurmo.
“Plani i mbështetjes rajonale të integrimit nëpërmjet paketës që Varhelyi iu referua në tetor për zhvillimin ekonomik dhe investimeve në rajon, ka edhe një risk lidhur me këtë qasje, nëse Be në një perspektivë afatgjatë mendon se kjo qasje apo paketë do të jetë një lloj shkëmbimi për mos anëtarësimin e rajonit atëherë them se mund të jetë një lajm i keq për rajonin”.
Sipas Vurmos BE ende nuk e ka kuptuar thelbësisht rajonin lidhur me mendësinë dhe nuk mund të këkrojë zgjidhjen e të gjitha konflikteve. (për më shumë)
Korrupsioni në rajon, Neziri: I dukshëm, ilaçi do të jetë fillimi i negociatave, BE mund të përfshihet drejtpërdrejtë
Një nga kushtet e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që sipas të gjithë raporteve është ende problematik në rajon.
Sipas gazetarit Xhelal Neziri, i ftuar në Absolut 4, “prania e krimit të organizuar në Ballkan është e dukshme, edhe në krahasim me vendet që së fundmi janë bërë pjesë e BE, si Rumania dhe Kroacia. Ilaçi më i mirë do të ishte fillimi i negociatave sepse BE mund të përfshihet drejtpërdrejt në reformimin e institucioneve dhe në reziliencën e tyre ndaj fenomeneve korruptive”. (për më shumë)
(A2 Televizion)