
Gjykata Kushtetuese po kthehet në një lojë shahu mes Parlamentit dhe Presidencës. Debati qëndron në faktin se kush duhet ta bëjë lëvizjen e radhës pasi Presidenti zgjodhi Besnik Muçin si anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese të emëruar sipas reformës në drejtësi.
Të dy institucioneve ligji iu jep 30 ditë kohë për të zgjedhur respektivisht nga 2 anëtarë nga listat me kandidatë të sjellë nga KED. Maxhoranca e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk do të lëvizë pa kryer Presidenti të dy përzgjedhjet e tij.
“Është një proces që do të duhet të përfundojë edhe nga ana e Presidentit që të shohim ehe kandidaturat që ngelen në listat e Kuvendit”, thotë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Por Kreu i Shtetit nuk ka ndërmend të ndjekë këtë logjikë. Burime nga Presidenca iu referuan Kushtetutës kur i thanë A2 se emri i radhës duhet domosdoshmërisht të përzgjidhet nga Kuvendi dhe jo nga Meta.
Neni 179 pika 2 i Kushtetutës është ai që përcakton radhën e lëvizjeve në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.
I detajuar më tej dhe në nenin 7 të ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. “Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”
Ndërsa në 4 nëntor Muçi ka përballjen me shkallën e dytë të vettingut, këtë të martë Presidenti publikoi emrat që garojnë për anëtarin e radhës që duhet të përzgjidhet prej tij. (A2 Televizion)