
Të tjera akuza nga Partia Demokratike në drejtim të qeverisë dhe Kryeministrit Rama, këtë herë për dhënien me koncension të portit në Kepin e Rodonit dhe të atij në Sarandë.
Nga selia blu, Dorjan Teliti, drejtori i kabinetit të Lulzim Bashës, deklaroi se te këto koncesione u dhanë me tenderë të parregullt, ku pati vetëm një ofertë, nga persona që sipas Partisë Demokratike, i kishin bërë më parë pazaret me kryeministrin Rama.
“Javën e shkuar në Bruksel, Bashkimi Europian diskutonte për hapjen e negociatave, kurse në Tiranë Edi Rama i dha me koncesion krimit dhe oligarkëve dy pasuri të mëdha strategjike të Shqipërisë: portin e jahteve në Kepin e Rodonit dhe portin e Sarandës. Të dyja këto koncesione u dhanë me tendera false, ku pati vetëm një ofertë, nga personat me të cilët Rama kishte bërë pazaret që më parë.
Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës.
Koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku. Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbërta të Tiranës.
Porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati. Vendimet për të dhënë me koncesion dy pika të rëndësishme të pasurisë dhe sigurisë kombëtare tek krimi dhe oligarkët e Edi Ramës janë pazare të paracaktuara. Për to nuk pati garë reale, kompanitë e huaja u përjashtuan de facto, koha e plotësimit të dokumentacionit ishte shumë e shkurtër, duke eliminuar konkurrencën dhe duke i shndërruar vendimet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në vendime korruptive dhe klienteliste”, tha Teliti. (A2 Televizion)