Së jashtmi, godinës 15-vjeçare të Krimeve të Rënda i ndryshoi vetëm emërtesa. Në mëngjes, gjykata njoftoi zyrtarisht marrjen e të gjitha masave për fillimin e veprimtarisë, nga përgatitja e vulës së re të institucionit, tabelat orientuese për publikun, regjistrat gjyqësorë, fashikujt, sistemin e sigurisë dhe kamera të vëzhgimit e deri tek toga të reja për gjyqtarët.
Por, Shkalla e Parë e institucionit të ri nis funksionin me të njëjtën trupë gjyqësore, të përbërë nga 12 anëtarë që kishte edhe Gjykata për Krimet e Rënda. Në mbledhjen e së enjtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi caktimin e përkohshëm të tyre në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Referuar të dhënave nga procesi i vetting-ut vetëm tre nga anëtarët e kësaj trupe janë konfirmuar në detyrë, vendim që nuk ka marrë formë të prerë. Nëntë të tjerët ende nuk janë përballur me procesin e rivlerësimit kalimtar.
Trupa gjyqësore nuk do të ndryshojë as në Apelin e Gjykatës së Posaçme. KLGJ urdhëroi caktim të përhershëm për pesë prej tyre dhe të përkohshëm vetëm për gjyqtaren Nure Dreni, për të cilën vijon procesi i vetting-ut.
Të gjithë gjyqtarët që do të gjykojnë dosjet e SPAK kanë dhënë më herët pëlqimin për mbikqyrjen e komunikimeve telefonike e elektronike si edhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve. (A2 Televizion)