
Apeli i Gjykatës së Posaçme shpëton nga burgu tre gjyqtarët e Apelit Durrës, të akuzuar për "korrupsion".
Megjithëse ka pranuar fajësinë e të pandehurve, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, Apeli ka vendosur pezullimin e dënimit me burg për ta dhënë nga Shkalla e Pare dhe lënien e tyre në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Ish-gjyqtarët u dënuan në 29 nëntor 2019 në lidhje me një udhëtim të bërë në Spanjë për të ndjekur ndeshjen Real Madrid-Barcelona. Sipas gjykatës, udhëtimi u sponsorizua nga një biznesmen, ndërkohë që po gjykonin një dosje ku ai ishte palë. Në Shkallën e Parë, tre gjyqtarët u dënuan me nga 2 vjet burg secili, por ata nuk shkuan në qeli, pasi u gjykuan pa masë sigurie.
Tre gjyqtarët u akuzuan nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda se në vitin 2014 kishin udhëtuar drejt Spanjës për të parë ndeshjen Real Madrid- Barcelona, udhëtim i sponsorizuar nga biznesmeni Namik Sadik.
Sipas prokurorisë, biznesmeni ishte palë në një proces gjyqësor të të pandehurve. Sadik ishte i bashkëpandehur në proces. Për të Apeli i Posaçëm vendosi pezullim të dënimit me burg dhe lënien e tij në shërbim prove për 2 vjet. (A2 Televizion)