
Në vendimin e arsyetuar Gjykata e Posaçme nënvizon dy momente, ku me veprimet e tij gjyqtari i pezulluar Luan Dacit, dyshohet të ketë shkelur ligjin.
Ai po hetohet për “falsifikim të dokumenteve”, vepër që dyshohet ta ketë kryer gjatë aplikimit të tij për t’u bërë pjesë e trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Sipas gjykatës, në dosjen e aplikimit të dorëzuar tek Avokati i Popullit në vitin 2017, Daci nuk ka treguar vitet e punës si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, fakt që e ka pranuar në seancën dëgjimore para Komisionit Ad Hoc në Kuvend. Por, në këtë përballje, sipas gjykatës, Daci nuk ka treguar të vërtetën kur ka treguar se si ishte larguar nga puna. Para komisionerëve, ai ka pretenduar se është larguar me dorëheqje, por nga hetimi i SPAK rezultoi se ai ishte shkarkuar nga detyra me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Sipas gjykatës, nëse ky fakt do të ishte bërë i njohur gjatë procedurës për emërimin e Dacit në KPA, ai do të ishte skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore.
Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit vetë Daci ka mohuar akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, duke pretenduar se nuk e ka pasur detyrim ligjor të përgjigjet në ndonjë formular për shkaqet e largimit nga detyra. Më tej, ai pretendon se masa disiplinore ndaj tij është marrë para 20 viteve nga momenti i aplikimit dhe si e tillë është shuar dhe nuk ka më fuqi. Burime zyrtare pranë KPA njoftuan pezullimin e të gjitha shqyrtimeve të kolegjeve që kanë pasur në përbërje gjyqtarin Daci, deri në një vendim të Gjykatës së Posaçme. (A2 Televizion)