
Gert Shehu, 31-vjeçari, i cili goditi me grusht Sali Berishën ka vendosur të mos padisë truprojat e ish-kryeministrit. Mësohet se Shehu është shprehur se nuk dëshiron t’i padisë truprojat, por edhe personat që e dhunuan.
31-vjeçari është lënë në burg nga Gjykata, ndërsa masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e spitalit të Traumës. Prej së martës ai po kurohet në spital e pasi gjendja e tij të përmirësohet pritet që të transferohet në qeli.
Gjithashtu, 31-vjeçari u transportua në spitalin e burgut, por nuk u pranua për shkak të gjendjes së tij ndërsa e rikthyen serish te Trauma. Avokati Ervis Lila i përzgjedhur nga familjarët e Gert Shehut kërkoi një masë më të lehtë ndaj tij pasi tha se akti i ekspertimit psikik për klientin e tij do të jetë përcaktues në këtë proces.
Ish-kryeministri Sali Berisha u godit me grusht nga 31-vjeçari, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor. Pavarësisht se familjarët e tij paraqitën dhe një dokument të lëshuar nga mjeku Sadik Lala ku shehu vuante nga një “Çrregullim psikotik të papërcaktuar”, Partia Demokratike u shpreh se 31-vjeçari është oficer i policisë kriminale dhe është urdhëruar për të goditur ish-kryeministrin. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama reagoi për ngjarjen e ndodhur dhe kërkoi që të zbardhet akti i sulmit, i cili sipas tij, ishte i pajustifikueshëm. (A2 Televizion)