Këto nuk janë pamje të bombardimeve në zonat e luftës ne Ukrainë. Është tymi që ka pushtuar një pjesë të qiellit të Vlorës dhe që shkaktohet nga djegia e gomave.
Persona të paidentifikaur i kanë vënë zjarrin këtij grumbulli me goma të përdorura automjetesh, të cilat në mënyrë të pashpjegueshme prej kohësh hidhen në këtë vend pranë Pyllit të Sodës.
Banorë të Vlorës kanë lajmëruar me urgjencë policinë dhe zjarrfikëset pasi shtëllungat e tymit krijonin përshtypjen sikur po digjej ndonjë impiant teknologjik.
Ardhja e forcave zjarrfikëse ka vënë nën kontroll përhapjen e mëtejshme të zjarrit, ndërsa ndotja e ajrit dhe ajo e tokës në vendin ku grumbulloheshin gomat është mjaft e lartë.
Ndërkohë policia lokale dhe autoritet ende nuk kanë asnjë prononcim për këtë ndotje të rëndë të qytetit ashtu sikurse ende nuk dihet se kush i ka lejuar gomisteritë e qytetit apo dhe më gjerë të hedhin gomat e papërdorshme në një ambient të hapur dhe të pambrojtur apo administruar. (A2 Televizion)