
Erling Haaland, sulmuesi i Borussia Dortmund, i cili sapo ka fituar çmimin “Golden Boy” për vitin 2020, nuk po ndalet më, duke thyer rekord pas rekordi në Gjermani dhe në Europë.
Në këtë sezon, ka shënuar 15 gola në 12 ndeshje, që do të thotë një gol çdo 63 minuta. Që kur ka nisur të luajë në Bundesligë, ka shënuar 23 gola në 22 ndeshje me fanellën e Dortmundit, duke thyer rekordin e Uwe Seeler, i cili pati shënuar 20 gola në 22 ndeshjet e tij të para në Bundeligë. Ky rekord zgjati plot 57 vite.
Ndërkohë, 10 golat e tij në 8 ndeshjet e zhvilluara deri tani në Bundesligë kanë barazuar rekordin e Pierre-Emerick Aubameyang, i cili kishte shënuar po kaq gola në 8 ndeshjet e para në sezonet 15/16 dhe 17/18.
Por, Haaland nuk mjaftohet me kaq dhe premtoi pas ndeshjes së fundit, ku shënoi 4 gola, se nuk do të ndalet me kaq: “Është një vit perfekt për mua, nuk do të ndalem”. (A2 Televizion)