
Irlanda ka një talent që po shndrit gjithmonë e më shumë. Ai, në fakt është shkodran. Bëhet fjalë për 16-vjeçarin Kevin Zefi, të cilit italiania “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull pas performancës së tij të shkëlqyer me U-17 të Interit, ku realizoi një tripletë ndaj Veronës, duke i mundësuar të rinjve zikaltër të mbajnë kryesimin në kampionat.
I lindur në Dublin nga prindër shkodranë, Zefi mahniti të gjithë me një gol spektakolar në kategorinë e dytë të atij vendi, me ekipin e St Kevin's Boys, ku shkruajti historinë si golashënuesi më i ri i atij vendi, vetëm 15 vjeç dhe 6 muaj.
Destinacioni i një lojtari irlandez zakonisht është Premier League, por për shkak të moshës së re, rregullat e reja pas BREXIT i mohojnë çdo futbollisti të huaj që të nënshkruajë kontratë si i mitur. Interi përfitoi nga rasti duke siguruar talentin e ri, që deri më tani i ka shpërblyer me 5 gola dhe gjeste teknike të përkryera.
Federata Shqiptare e Futbollit ka kontaktuar me kohë me prindërit e Kevin, por ata, edhe pse mirënjohës, për momentin, kanë deklaruar se djali i tyre do të vazhdojë me fanellat jeshile të Irlandës. Por Zefi nuk është thirrur ende në përfaqësuesen irlandeze, përtej ekipeve zinxhir, kështu që shpresat mbeten për ta parë si kuqezi. (A2 Televizion)