
Tirana prezanton Orges Shehin. Trajneri i ri emërohet në krye të stolit vetëm pak orë pas largimit të Nevil Dedes, duke nisur menjëherë nga puna. Me kampionët në fuqi që po vuajnë në këtë sezon, ish-portieri i Skënderbeut dhe Kombëtares u njoh menjëherë me presionin që ka ambienti bardheblu.
“Shehi është një kampion. Besoj që do të bëjë mirë te Tirana edhe si trajner. Sa i takon kontratës, është e pafundme nëse ka rezultate të mira. Nëse gjërat shkojnë mbarë ai qëndron. Nëse jo, vjen trajner tjetër. Nuk mund të ndryshojmë trajner se humb një, dy apo pesë. Shpresoj ta vazhdojmë një rrugë të gjatë me Shehin. Nuk bëj dot marrëzira. Jemi njerëz dhe nuk është gjë e keqe të bëhen sugjerime. Puna bëhet në bashkëpunim. Na erdhi keq që e prishëm marrëveshjen me ish-futbollistin tonë”, tha Halili.
7 herë kampion si lojtar dhe fitues i 12 trofeve në total, Shehi e pranoi sfidën, me gjithë vështirësitë dhe përgjegjësitë që ajo ka. “Jam krenar dhe i kënaqur të bëhem pjesë e klubit më të titulluar në vend. Objektivat e klubit dihen, gjithmonë në majë. Në këtë profesion, përgjegjësia është e madhe dhe unë nuk jam tip që i shmangem atyre. Tiranën e prita me shumë qejf sepse është klub i madh dhe ka një organikë të mirë lojtarësh. Sa i përket ndërhyrjeve nga presidenca, jam trajner që nëse klubi mund të ketë politika për një lojtar të caktuar për të bërë një kalim në një kampionat më të fortë, ne sigurisht do e ndihmojmë, duke e promovuar më tepër”, tha Shehi.
Aventura e Shehit me bardheblutë, e treta në karrierë si trajner, do të nisë të dielën me transfertën me Apoloninë. (A2 Televizion)