
Në prag të nisjes së kampionatit francez, trajneri i PSG, Mauricio Pochettino, deklaroi se ndjen përgjegjësi të madhe për faktin që do të drejtojë një ekip ku do të luajnë bashkë Messi, Neymar dhe Mbappe.
“Jemi të lumtur që na ka ardhur Leo, e dimë se çfarë përfaqëson një lojtar si ai. Përgjegjësia që ndjej më sjell dëshirën për të fituar. Për momentin, kemi një skuadër me emra të mëdhenj, por nuk kemi ende një grup. Sfida do të jetë që emrat të vihen në funksion të skuadrës, me disiplinë dhe organizim”, tha trajneri argjentinas.
Sipas tij, Messi “ka sjellë energji pozitive në ambient dhe tek të gjithë ne”.
“Ne trajnerët duam që të stërvitim më të mirët në botë dhe duam që të kemi probleme në zgjedhjen e skuadrës. Dua të nënvizoj punën e madhe që ka bërë klubi për të sjellë Messin në Paris”, shtoi Pochettino. (A2 Televizion)