Përfitimet nga kupat, mbi 3 milionë euro të ardhura për ekipet e Superiores

Nga A2 CNN
13 Gusht 2021, 13:55 | Futboll
Përfitimet nga kupat, mbi 3 milionë euro të ardhura për

Në vitet e fundit, pjesëmarrja në kupat e Europës ka shërbyer për të mbushur arkat e klubeve shqiptare.

Pas Skënderbeut që në vitin 2017 përfitoi rreth 4 milionë euro sepse luajti në fazën e grupeve të Europa League, edicionin e kaluar, Tirana arkëtoi 1.2 milionë euro.

Në këtë sezon, Teuta është “mbretëresha” e përfitimeve. Kampionët e Shqipërisë, e nisën aventurën në Champions dhe vijuan në dy ture të Conference League, duke siguruar në total 1 milion e 290 mijë euro.

Shifra ndahet në 540 mijë euro për pjesëmarrjen dhe ndeshjet në turin e parë të turneut më të rëndësishëm kontinental. Me zbritjen në Conference League, bregdetarët kanë përfituar 200 mijë euro për dy turnet e luajtura, si edhe 550 mijë euro pas eliminimit nga Shamrock.

Skuadra e dytë që përfitoi më tepër nga arena ndërkombëtare është Laçi, me 650 mijë euro, pasi luajti deri në turin e tretë të eventimentit më të ri të UEFA-s. Kurbinasit siguruan një shifër të ngjashme edhe gjatë edicionit të kaluar, duke krijuar një ecuri mbresëlënëse në të ardhura dhe në vazhdimësinë e projektit.

Vllaznia dhe Partizani të cilat u eliminuan në turin e dytë përfituan 550 mijë euro: shifra përllogaritet 100 mijë për çdo tur dhe 350 mijë euro shpërblim pas eliminimit. Në total, skuadrat shqiptare përfituan mbi 3 milionë euro, por ndryshe nga vitet e mëparshme, këto para duhen investuar me kujdes dhe inteligjencë, për të ruajtur solide bazat për të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos