
Premier League angleze dhe Bundesliga gjermane hapin mbrëmjen e sotme sezonin e ri, për sa i takon kampionateve më të fort në kontinent. Premier starton prej orës 21:00 me Brentford, skuadrës e sapo ngjitur në elitë, e cila do të presë Arsenalin. Edhe pse mbeten ende larg pretendentëve, “topçinjtë” do të provojnë ta nisin edicionin në mënyrën më të mirë.
Megjithatë, asgjë nuk është e garantuar, sepse Brentford kërkon të bëjë figurë të mirë, pasi theu mallkimin dhe u kthye në Premier për herë të parë prej vitit të largët 1947.
Kampionati më spektakolar në botë do të jetë e luftuar nga ndeshja e parë, edhe deri në vërshëllimën e fundit të sezonit. Disa prej futbollistëve më të mirë në botë, trajnerët dhe skuadrat do të luftojnë për titullin kampion, biletat në Champions dhe Europa League. Emra të mëdhenj që duan të konfirmohen dhe yje të rinj, të gatshëm të promovohen.
Edhe Bundesliga nis në mënyrë spektakolare, me një duel historik që të kthen në vitet ’70. Kampionati gjerman hapet mbrëmjen e sotme, prej orës 20: 30 me “Klasiken e Vjetër” ndërmjet Borussia Mönchengladbach dhe Bayern Munchen.
Mes ndryshimeve të shumta, bavarezët duhet të tregojnë se mbeten skuadra për t’u mundur. Nga idetë e trajnerit të ri, te risitë e merkatos ku sytë janë te Upamecano në mbrojtje, në vendin e dy legjendave si Alaba e Boateng, të larguar me kosto zero. (A2 Televizion)