
Sali Berisha nuk e quajti risi hapjen e dosjeve. Ligji i vitit2008, thekson kryedemokrati, ja jepte këtë mundësi çdo personi, pa kufizim, ndërsa nismën e fundit që u votua në Parlament falë bashkimit të votave mes socialistëve dhe grupimit Alibeaj, e sheh si një sulm politik ndaj aleatit të tij, Ilir Metës.
“Hapja e debatit për ligjin e gjahut të shtrigave kundër Ilir Metës. Se ai është amendament kundër Metës. Ne menduam se do kthejë ligjin e lustracionit, sepse çdo i përndjekur dhe shoqëria kërkon që ata që kanë kryer krime, të mos jenë në poste. Kjo është pritshmëria e ligjshme. Pikërisht këtë nuk pranon Edi Rama. Dhe u zotua se kjo nuk do ndodhë kurrë”.
Sipas kryedemokratit, Rama nuk e do lustracionin, ndonëse e reklamon nismën si të tillë.
“Edi Rama e nxori se ishte armik i saj dhe kategorikisht kundër saj, kërkon që e tërë nomenklatura, e tërë policia sekrete, me oficerë dhe bashkëpunëtorë të të gjitha niveleve, dhe përveç kësaj, nomenklatura komuniste humbet të drejtën sipas këtij ligji, për t’u zgjedhur në forumet drejtuese apo për të marrë poste drejtuese”.
Qëndrimin e mazhorancës ndaj lustracionit, e shpjegon me rrëzimin që iu bë në Gjykatë Kushtetuese ligjit të miratuar nga demokratët gjatë qeverisë Berisha.
“Ka një ligj tjetër të kaluar nga qeverisja e PD, për herë të parë në Shqipëri, ligji i dënimit të krimeve të komunizmit dhe gjenocidit komunist. Sipas atij ligji, secili person që gjen persekutorin e vet, ka të drejtë të paraqitet në prokurori dhe të kërkojë dënimin e tij. Pikërisht këtë ligj, Edi Rama e çoi në Kushtetuese dhe e rrëzoi me 5 gjykatës që ishin në konflikt të plotë interesi”.
Edhe pse grupimi Alibeaj bëri bashkë votat me PS në Parlament, Berisha u shpreh se sërish dëshiron bashkimin e plotë të PD. Statuti, nënvizoi kryedemokrati, mundëson edhe një opsion tjetër, atë krijimit të një fraksioni. (A2 Televizion)