Kritika Llatjas dhe Veliajt, Rama: Njishat e Elbasanit dhe Tiranës kujtojnë se bëjnë mrekullira

Nga A2 CNN
21 Tetor 2022, 15:57 | Politikë
Kritika Llatjas dhe Veliajt, Rama: Njishat e Elbasanit dhe Tiranës

Nga Elbasani, ku ishte i pranishëm në një takim me fermerë, kryeministri Rama ka shprehur rezervat e tij për kryetarin e Bashkisë, Gledjan Llatja dhe kryetarin e Tiranës, Erjon Veliaj. “Njishat”, siç i quajti Rama me ironi, mendojnë se bëjnë mrekullira, por sipas kryeministrit, kanë harruar zonat rurale të territoreve bashkiake që menaxhojnë.

Shqetësimi i një fermeri në Elbasan, i dha mundësinë Edi Ramës të shprehte publikisht pakënaqësinë që kishte ndaj kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, por edhe ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

“E keni 1-sh edhe më të mirë se Lali Eri thu ti, s’ka problem, por unë s’jam i kënaqur as me 1-shin tuj, as me 1-shin tim atje. Dakord! Pse? Sepse më ka rënë goja me këta… Jeni kryetarë bashkie të qytetit dhe të fshatit. Dhe fshatit nuk i mjafton më që Bashkia t’i japë, rrugë, kanalizimi, ujësjellës etj etj. Por duhet të futet dhe matanë rrugës. Dhe matanë rrugës, janë frigoriferët, janë pikat e grumbullimit”.

Për t’u siguruar që mesazhi u kuptua qartë aty ku duhet të të mbërrinte, përsëriti ironinë, me të cilën iu drejtua dy kryebashkiakëve.

“Kam hall se këta 1-shat i rre mendja, se i thoni ju mrekulli, thonë aaa, unë jam ai që kam bërë mrekulli. Ca mrekullie ke bo? Rrugën pra ke bo… Jo shumë larg nga këtu, është një pikë grumbullimi i bërë nga 1-shi i Cërrikut. Ai është1-sh”.

Çfarë e kënaq është puna e ministres së Bujqësisë, të cilën e mori në mbrojtje, nga ironitë kolektive për të ashtuquajturën Akademi e Barinjve.

Fermerëve, Rama u kërkoi që të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, në mënyrë që t’i drejtohen institucioneve vendore bashkarish për të zgjidhur problemet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos