
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ashpërson tonet dhe kritikat ndaj Bashkimit Europian lidhur me dialogun me Serbinë. Kreu i qeverisë pati një akuzë të drejtpërdrejtë për shefen e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini.
“Ka mbajtur një dialog që është fshehur dhe duhet nxjerrë në dritë, të mos e mbajë të fshehtë dhe të vazhdojë dialogu si i ka hije”
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës
Më herët në një shkrim të medias ndërkombëtare “Politico”, Haradinaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vucic folën për marrëveshjen finale. Kreu i shtetit serb thotë se palët duhet të jenë të lira të diskutojnë shënimin e kufirit të përbashkët.
“Do të jetë shumë e vështirë, por një marrëveshje duhet të arrihet. Në të kundërt ne do të përballemi me një katastrofë”
Aleksandar Vucic, President i Serbisë
Thaçi, i cili ishte i pari që mbështeti korrigjimin e kufijve me Serbinë, refuzon të pranonjë se kjo temë është hequr nga tavolina e negociatave.
“Ne duhet të arrijmë tek një marrëveshje ku do të përfshihet kufiri. Gjithashtu duhet të ketë njohje të kufirit të njëri-tjetrit”
Hashim Thaçi, President i Kosovës
Në këtë shkrim, kryeministri i Kosovës shprehet se ideja për korrigjim kufijsh është jo-kushtetuese dhe e paligjshme. Gjithashtu nuk i kurseu kritikat ndaj Mogherinit, duke thënë se me qëndrimin e saj nuk dëmtoi vetëm rajonin por të gjithë Europën. (A2 Televizion)