
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi deklaroi në Komisionin Hetimor se procedurat e ndjekura për financimin e inceneratorit të Elbasanit janë konform parashikimeve ligjore. Sipas tij, fondet për këtë projekt ishin parashikuar që në vitin 2015.
“Vendimmarrja kalon në dy faza për financimin e kontratave dhe çdo lloj financimi nga buxheti i shtetit. Është gjithë procedura që zhvillohet në Ministrinë e Financave në raport me dokumentacionin Autoritetin Kontraktor dhe në rastin në fjalë ky financim për ndërtimin e impiantit të menaxhimit të mbetjeve në Elbasan ishte parashikuar që në nëntor në PBA 2015-2017”.
I pyetur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku nëse kishte marrë porosi nga eprori për të proceduar më shpejt me këtë akt Agaçi e mohon një gjë të tillë.
“Nuk kam pasur asnjë porosi të tillë, por ajo që mua më intereson ta dëshmoj përballë jush dhe kjo ka rëndësi fondamentale. Është aluduar në media me lloj-lloj shpifjesh të këtyre 17 vendimeve të dhëna nga Këshilli i Ministrave”. (A2 Televizion)