Hetimi për ngjarjen në komisariat: Qelitë favorizuan zjarrin, zbardhet deklarimi i policit

Nga A2 CNN
28 Mars 2022, 22:23 | Kronikë
Hetimi për ngjarjen në komisariat: Qelitë favorizuan zjarrin,

Zjarrit të së shtunës në Komisariatin e Kamzës, me pasojë vdekjen e 26-vjeçarit dhe lëndimin e dy të tjerëve, i janë dashur vetëm pak minuta të mbulonte me tym të gjithë ambientin.

Kjo për shkak se qelitë e burgut janë të pozicionuara në katin e nëndheshëm të godinës dhe nuk kanë dritare.

“Unë isha i ulur në karrige gjatë turnit dhe nuk kam lëvizur asnjë moment. Pamë që po dilte tym nga dera e hekurit e qelisë ku ndodhej Arben Mici. E hapëm derën, por nuk mundëm të shikonim asgjë nga tymi i dendur. Nxorëm të paraburgosurin tjetër Dilaver Drizi dhe dy të tjerë nga qelitë ngjitur dhe u ngjitëm në katin e parë. Më pas, kolegu im Hajredin Boja, zbriti sërish të merrte 26-vjeçarin”, ka rrëfyer një prej policëve.

Referuar deklarimeve, tymi ka krijuar një situatë kaotike dhe efektivi Boja, aktualisht në spital për shkak të lëndimeve të marra në ngjarje, por edhe i arrestuar për “shpërdorim detyre”, nuk e ka gjetur të riu.

Sipas hetimit, 26-vjeçari është gjetur i asfiksuar më pas nga zjarrfikësit në tualetin e ambientit të paraburgimit, i cili ndodhej në fund të korridorit. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë materiale batanijesh dhe sfungjeri, si edhe një paketë me tete filtra, ndërsa në veshjet e Micit janë gjetur 5 cigare si edhe një çakmak. Nga ana tjetër, prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e testit të alkoolit për punonjësit e policisë të pranishëm në turn gjatë ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos