
Sukses i madh për futbollin për femra shqiptar. Kampionet e Vllaznisë kanë mundur në një sfidë plot emocione koleget turke të ALG Spor Kulubu, duke kaluar kështu në turin e dytë Champions League.
Ndeshja përfundoi 2-2 në 90 minutat e para, ku shkodranët kaluan dy herë në avantazh me Gjinin, por duke u barazuar gjithmonë nga turket. Në kohën shtesë, me një gol të Çivelek në minutën 118, turket po fillonin të festonin për kualifikimin, por në sekondat e fundit Bajraktari arriti të barazonte gjithçka falë një aksioni të bukur.
Penalltitë i buzëqeshën shqiptareve që mund të festojnë kështu një fitore pothuajse të papritur ndaj një rivaleje potencialisht më të fortë.
Presidenti i FSHF-së Armand Duka e ka cilësuar fitoren si një ”arritje e shkëlqyer për vajzat kuqeblu, por edhe për futbollin e femrave. Le të shpresojmë që ky sukses të pasohet nga të tjera triumfe dhe Vllaznia të avancojë në fazën e grupeve të Champions League për femra. Do të ishte një sukses i merituar për këtë ekip, por që njëkohësisht tregon se futbolli i femrave në Shqipëri është rritur në aspektin cilësor vitet e fundit”. (A2 Televizion)