Kodheli: Transport publik falas për 5 kategori! Subvencionim të shkollës së lartë për ‘ekselentët’

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 21:03 | Politikë
Kodheli: Transport publik falas për 5 kategori! Subvencionim të

Premtimet për transport Publik falas nuk janë vetëm në Tiranë, por edhe në Fier nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Evdar Kodheli. Ndryshe nga Belind Këlliçi, Kodheli tha se nga transporti publik falas do të përfitojnë disa kategori, jo të gjithë qytetarët.

“Do ofrohet shërbim i transportit publik falas për nxënësit e shkollave. Kemi shumë banorë që na kanë ngritur shqetësimin që nxënësit kur ka shi apo erëra të forta, nuk shkojnë në shkolla. Edhe gjyshërit, si edhe për familjet në nevojë, invalidët, personat me aftësi ndryshe, transporti publik do jetë falas dhe me një fashë akoma më të gjerë të shërbimit”, tha Kodheli.

I ftuar në “Debat” në A2 CNN, Kodheli ka evidentuar disa nga problematikat kryesore me të cilat po përballet qyteti, e që do duhet të marrin një zgjidhje të menjëhershme. Ai rendit mungesën e ujit të pijshëm si edhe mungesën e kanalizimeve si më kryesoret.

“Në të gjitha njësitë e Bashkisë ka 2-3 orë në ditë. Ujë i pijshëm me kufizime. Kur u thuhet që do vijë uji në orën 5, prap nuk vjen në orar, mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza. Është një padrejtësi që u bëhet qytetarëve se paguajnë për një shërbim që s'e marrin. Në 90% të njësive administrative mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza. Punohet me gropa septike”, shtoi ai.

Megjithëse, përtej kritikave, e vlerëson edhe punën e kundërshtarit të tij socialist, Armand Subashi, ku thotë se ka bërë investime në qytet, por vë theksin te cilësia dhe te kostoja e lartë.

“Patjetër që janë bërë investime dhe ne nuk i hedhim poshtë, por në këndvështrimin tonë, këto investime duhet të ishin bërë me garë të hapur dhe nëpërmjet kursimit të fondeve, ne do kishim bërë më shumë punë, në dobi të qytetarëve, jo vetëm fasadave. Punë sa për t’i hedhur hi syve”, u shpreh kandidati opozitar në A2 CNN.

Ai thotë se në kundërshtim nga kundërshtari i tij, ka një platformë konkrete, madje ka zgjedhur që ta sfidojë Subashin që të bëjnë një përballje në mes të qytetin.

“Rilindja nuk ka platformë, ata ecin me ideologjinë që Fieri është bastion i tyre. E kam sfiduar që të bëjmë një përballje dhe të ballafaqojmë programet tona. I bëj sfidë dhe jam i gatshëm që të ballafaqohemi dhe të premten në 22:00”, sfidoi Kodheli, Subashin.

Në programin e tij një pikë e rëndësishme është edhe rinia, duke thënë se do subvencionojë të gjitha familjet që kanë fëmijët ekselentë dhe nuk shkojnë dot në shkollë të lartë për shkak të problemeve ekonomike.

“Ka një shpopullim nga rinia, shumë të rinj dhe shumë familje që kanë edukuar fëmijë të mirë që mësojnë shumë në shkolla, kanë pamundësi ekonomike të vazhdojnë studimet e larta, flasim për studentët ekselencë. Do subvencionojmë familjet që për mungesë të fondeve nuk i çojnë fëmijët për arsim të lartë, do i evidentojmë fillimisht dhe më pas do i subvencionojmë. Ndërsa për ata që nuk janë shumë të talentuar për shkolla të larta, mund të marrin një shkollë profesionale, që të bëhen të dobishëm, por veten e tyre dhe familjen”, tha ai.

Sporti dhe kultura do të jetë në vëmendjen e tij dhe thotë se ka projekte konkrete me të cilat do të “kërkojë investim me forcë” nga qeveria, ndonëse kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me një Bashki ku do të fitojnë kandidatët e opozitës. Nga ana tjetër, theksoi se inceneratori i Fierit nuk funksionon, por zgjodhi që të mos komentonte më gjatë për një çështje që është në dorë të drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos