
Kandidatja e Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkinë e Fierit, Eriselda Çelaj kritikoi ashpër kryetarin aktual Armando Subashi , i cili po kërkon një mandat të tretë në zgjedhjet e 14 majit.
Në emisionin Debat në A2 CNN, Çelaj u shpreh se Subashi nuk ka bërë asnjë investim në Fier gjatë 8 viteve drejtim, teksa refuzimin e tij për t’u përballur në një debat me kundërshtarët e cilësoi si një shmangie për shkak të dosjes së hapur për inceneratorin e Fierit.
Sipas saj në këtë incenerator nuk bëhet djegia e mbeturinave, por ato kapsulohen duke shkaktuar dëme dhe ndotje të madhe në mjedis.
“Subashi nuk ka bërë asnjë investim, ka realizuar vetëm fasadave. Jetesa në Fier është bërë e pamundur. Fasada na ka kushtuar shumë shtrenjtë. Në brendësi të qytetit e shikon se si është situata në të vërtetë. Nuk kanë ndërtuar një çerdhe në Fier, por fëmijët shkojnë me turne. Jeta në qytetin e Fierit përfundon në orën 18:00. Subashi nuk ka asnjë program. Ai e mori dhuratë bashkinë dhe nuk e respekton këtë qytet. Ai nuk mund të dalë në media, pasi ka disa situata që po i vlojnë me drejtësinë, siç është ai me inceneratorin. Inceneratori është në sekuestro-preventive, po ha paratë e qytetarëve pa bërë asgjë. Qytetarët kanë shprehu shqetësime në lidhje ndotjen. Aty nuk incenerohen mbetjet, por thjesht kapsulohen dhe ndotin mjedisin. Janë dy të burgosur në bashkinë Fier, kjo është arsyeja përse Subashi nuk del do në përballje”, u shpreh Çelaj.
Në lidhje me kandidatin tjetër demokrat që garon në Fier nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Çelaj u shpreh se të djathtët në këtë bashki ndihen të tradhtuar nga ata që kërkojnë të votohet Partia e Lirisë.
“Z.Kodheli e kam vlerësuar, thjesht nuk e gjykoj që zgjedhja që ai ka bërë të jetë e duhura për fierakët. Shumë shpejt do ta kuptojë. Kodheli ka marrë përsipër të përfaqësojë “demokratët” por asnjë prej tyre nuk e hedh votën tek Partia e Lirisë. Si guxojnë këtë politikanë që kërkojnë votën e demokratëve dhe i dërgojnë ato te Partia e Lirisë. Sa herë ka ndodhur kjo gjë demokratët e kanë pësuar”, shtoi Çelaj.
Mes të tjerash, kandidatja e Alibeaj shpalosi dhe disa pika të programit të saj që në fokus do të kenë reformën administrative si dhe të rinjtë dhe pensionistët. (A2 Televizion)