
Gjykata e Apelit Tiranë i dha formë të prerë vendimit të Shkallës së Parë, që pushoi hetimin e nisur për akuzën e “falsifikimit të formularëve” ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha.
Kryedemokrati u hetua nga prokuroria e kryeqytetit në lidhje me kontratat e lobimit të PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin2017.
Vendimi i Shkallës së Parë për pushimin e çështjes, i shpallur në janar 2020, mbeti i pandryshuar edhe për ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe për financierin Ilir Dervishi. Ankimi i prokurorisë në Apel u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve, bazuar vetëm në dokumente.
Prokuroria e Tiranës hetoi Bashën dhe dy zyrtarët e tjerë të PD për “falsifikim të stampave ose formularëve”, pasi pretendonte se kishte mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe shpenzimeve reale. Sipas Prokurorisë, KQZ nuk kishte deklaruar dy pagesa, 650 mijë euro në total, një prej tyre e kryer nga shoqëria e huaj “Biniatta Trade”. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se vendimi i Apeli nuk i dha pafajësi Lulëzim Bashës, por thjeshtë ka vonuar drejtësinë. Balla paralajmëroi një kallëzim të ri ndaj Bashës në SPAK. (A2 Televizion)