Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në Selenicë dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur pronarët e saj.

Sipas policisë, një bombul gazi ka shpërthyer në orën 05:53 dhe nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur 49-vjeçari Rexhep Selimi dhe bashkëshortja e tij 42-vjeçare, Mimoza Selimi.

Mësohet se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
I biri i të plagosurve, Muhamet Selimi, tregon si ka marrë vesh lajmin dhe dyshimet e tij për shkakun e shpërthimit: “Më thanë që ka plasur bombola në shtëpi dhe vetëm mami ishte djegur. Nuk kam marrë vesh asgjë se si është ajo. Kishim një bombol të vjetër në shtëpi dhe e hoqëm. Mamaja vajti të merrte një bombol të re me sa kam dëgjuar dhe nga momenti i montimit mund ta ketë harruar edhe hapur dhe ka pasur rrjedhje gazi”. (A2 Televizion)