Një shofer autobusi në Turqi e ka kthyer mjetin pubik në një shtëpi banimi, pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin dhe la pas dhjetëra mijëra viktima dhe qindra mijëra të plagosur. Familja prej 7 personash e Hasan Akıncı ka arritur të dalë nga banesa pas tërmetit. Ai e ktheu autobusin publik në të cilin ishte shofer për 17 vjet, në shtëpinë e tij, për të mos qëndruar në rrugë. Rregulloi sediljet dhe mbuloi xhamat me batanije. Akıncı zgjidhi edhe problemin e ngrohjes duke lidhur energjinë elektrike në autobus, si edhe e pajisi me një televizor që fëmijët e tij të mos mërziteshin.
“U zgjova me dridhjet e tërmetit, ishte si apokalipsi vrapoja pas fëmijëve në dhomat e shtëpisë dhe nuk dija ç’të merrja. Pasi u ndal lëkundja, vrapuam për të dalë. Muret kishin shpërthyer, gjithçka ishte thyer. Në errësirë nuk dinim se ku po shkelnim,. Ne dolëm, duart dhe këmbët na rridhnin gjak. Dera e hekurt në dalje të banesës ishte bllokuar nga tërmeti dhe nuk mundëm ta hapnim. Aty ishin grumbulluar edhe fqinjët. U hodha në rrugë nga ballkoni i katit të dytë, e hapa derën nga jashtë. Fatmirësisht, i nxora fqinjët dhe familjen time të sigurt”, kujton 48-vjeçari momentin e tmerrit nga tërmeti.
Akıncı, i cili ka 5 fëmijë, më i vogli prej të cilëve është 3 vjeç, tha se ata donin një shtëpi me kontejnerë, sepse kishin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre për banjë dhe tualet.
"Ne morëm autobusin dhe i lashë fqinjët të hynin. Nga çdo apartament, derë dhe dritare në lagje dëgjoheshin thirrje për ndihmë. Pasi futëm të moshuarit, gratë dhe fëmijët në autobus, ne u munduam t'i ndihmonim ata njerëz me aq sa mundëm, më kujtohet që shkuam në banesë dhe nxorëm 10-15 veta. Pas 3-4 ditësh shkuam në shtëpi dhe shpejt morëm gjëra si batanije, jorgan dhe jastëk, sikur të vidhnim pronën tonë. Erdhëm në fshatin tonë nga qendra e Antakias, për momentin jemi këtu. Ata po ndërtojnë shtëpi me kontejnerë, por ne nuk mund të lëmë fshatin tonë, gjërat tona, familjen tonë. Do të ishte mirë nëse një shtëpi kontejneri do të instalohej në vendndodhjen tonë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të jetojmë në autobus. Nuk është komode, por do ia dalim, kemi frikë nga lëkundja më e vogël, shyqyr për këtë”, tha ai. (A2 Televizion)




