
Kreu i grupit parlamentar socialist e ka konsideruar humbjen e Partisë Demokratike në Tropojë si humbje personale të Sali Berishës. Nga Foltorja e kuvendit, Taulant Balla i kërkoi Berishës që humbjen në Tropojë ta konsiderojë si fundin e karrierës politike.
“U shpreh se 547 mijë zgjedhës kanë votuar dy herë dhe sipas Berishës, të gjithë kanë votuar dy herë që i bie nga 1 mln 395 mijë vota opozita të ketë marrë më pak se 300 mijë. Ose ta ka lënë Luli këtë problem matematike, por ajo që i vuri kapak ishte që nuk përmendi Tropojën, është gjëja më e bukur. Rezulton që Sali Berisha e ka pranuar humbjen në Tropojë, se nuk e përmendi që të të ketë pasur një problem si ky. Sali, humbja e Tropojës është humbja jote personale. Nëse do e kisha një rezultat të tillë në Librazhd nuk do të vija në këtë sallë. Bën mirë edhe ti, që humbjen e Tropojës ta konsiderosh si përfundimin e karrierës tënde në politike dhe të lësh mandatin e të ikësh njëherë e përgjithmonë nga kjo sallë. Kur nuk të voton fshati jot, si mund të votojnë të tjerët. Zgjedhjet e 14 majit ishin plotësisht të drejta e demokratike. Fakti është që në orën 19:00 udhëheqësi i parë që doli për fitore ishte Berisha ku shpalli fitoren, ndërkohë që PS mori 70% të votave”.
Sipas tij, kjo mund të jetë edhe zgjidhja për Partinë Demokratike.
“Zgjedhjet çdo parti t’i shohë nga vetja e vet. Mund të jetë zgjidhje për të ardhmen e PD-së. Duke konsideruar Tropojën si humbje personale, shpëton edhe PD-ja nga halli që e ka futur”. (A2 Televizion)