Është një prej serialeve më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por rrallëherë aktorët apo producentët kandidohen për ndonjë çmim. Bëhet fjalë për serialin “Yellowstone”, me aktor protagonist Kevin Costner, i cili do të hyjë së shpejti në sezonin e pestë, pasi ka thyer disa rekorde shikueshmërie.
Rreth 15 milionë persona, panë live episodin final të sezonit të katërt, duke thyer kështu një rekord të vendosur në vitin 2017, nga premiera e sezonit të tetë të serialit “The Walking Dead”.
I nisur në vitin 2018, “Yellowstone” flet për Amerikën rurale, për shtetet “e kuqe”, siç quhen ato që votojnë kryesisht për Partinë Republikane. Por përkundër mosvlerësimit nga ana e kritikës, seriali i ka thyer këto barriera duke “pushtuar” të gjithë vendin.
I prodhuar nga “Paramount”, seriali tregon jetën e një familjeje fermerësh në Montana, por problemet mes të bardhëve dhe indianëve nativë, ndërthuren me intrigat politike lokale, larg Uashingtonit, apo qendrave të tjera liberale amerikane, si Nju-Jorku dhe Los Anxhelosi.
Me një fotografi magjepsëse që ofrohet nga Parku Kombëtar i Yellowstone, seriali tregon jetën reale të shtresës së mesme amerikane, diçka që ndoshta i mungonte ekraneve dhe platformave online. Autorët e serialit e thonë më së miri idenë e tyre për atë që po ndodh sot në Shtetet e Bashkuara, me fjalët që personazhi kryesor, John Dutton, i luajtur nga Kevin Costner, thotë në episodin e shtatë në sezonin e katërt: “Po zhvillohet një luftë kundër mënyrës sonë të jetesës. Po na e morën tokën, nuk do të duket më kurrë si toka jonë”.
Përveç Costner, dy herë fitues i çmimit Oscar, në serialin dramatik interpretojnë edhe emra të tjerë të njohur si Luke Grimes, Kelly Reilly, Wes Bentley dhe Cole Hauser. (A2 Televizion)