
Qerim Krasniqi është një 30 vjeçar në Kosova, që dyshohet t’i ketë zhvatuar 135 mijë euro pronares së një hoteli në Tiranë përmes mashtrimit. I riu u prangos pas kallëzimit të Marjana C., që i tregoi hetuesve se Krasniqi kishte qëndruar gjatë në hotelin e saj, aq sa kishin krijuar miqësi bashkë, madje e kishte mbajtur në shtëpi kur ai kaloi Covidin.
Sipas deklarimeve të saj, në gusht të vitit të kaluar, me pretekstin se i ishin bllokuar llogaritë bankare në Zvicër 30-vjeçari i kishte kërkuar 50 mijë euro borxh. Veç kësaj shume, ajo ka plotësuar më tej kërkesat e tij për t’i dhënë shuma të tjera në vlerat 30, 28, 20 dhe 6 mijë euro.
Prej mikut të saj ka marrë premtimin se paratë do t’i ktheheshin njëherësh, sapo t’i zhbllokohej llogaria bankare. Në dhjetor ai nuk iu përgjigj më as telefonatave të saj, duke u larguar pa gjurmë dhe ndërprerë çdo kontakt.
30-vjeçari u arrestua nga policia në 22 prill, kur u fut në territorin shqiptar. Në versionin e tij borxhi ishte më i ulët, por 30-vjeçari pretendonte se kishte rënë vetë pre e një mashtrimi.
“Marianës i kam marrë 85-87 mijë euro. Këtë shumë e kam investuar në bursë(Forex). Investimin e kam kryer tek një shtetas nga Maqedonia e Veriut të quajtur Rinor, po që nuk i di gjeneralitetet të tjera. Rinori më ka marrë këtë shumë monetare dhe pasi më ka marrë edhe 32 mijë euro nga paratë e mia, ka shkëputur kontaktet dhe është zhdukur. Në këto kushte kam shkëputur marrëdhëniet me Marianën dhe jam larguar nga Shqipëria”.
30-vjeçari ka pretenduar se në kontaktin e fundit, mikesha e tij kërkonte 50 mijë euro në dorë, por ai ishte i gatshëm t’i kthente nga 5 mijë euro në muaj, të ardhura që do t’i vinin nga tregtimi i kriptovalutave.
Njëkohësisht ai është rrëfyer se i ka marrë 500 euro borxh një mjekeje, që po ashtu nuk ia ka kthyer. Sipas prokurorisë, edhe pasi janë ballafaquar me njëri-tjetrin, të dy i kanë qëndruar thënieve të tyre.
Këtë të hënë, 30-vjeçari doli para gjykatës, ku gjyqtarja Shefkie Demiraj pranoi kërkesën e prokurorisë për lënien e tij në masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “mashtrimit”, me pasoja të rënda. (A2 Televizion)