I pari restorant nënujor në Europë, në ujërat e Detit të Veriut

Nga A2 CNN
20 Mars 2019, 18:26 | Lifestyle

Të darkosh nën ujë, tashmë është e mundur edhe në Evropë. Restoranti i parë i këtij lloji në kontinentin e vjetër u hap të mërkurën në Norvegji. 7 mijë vetë kishin prenotuar për të ngrënë mes peshqve.

 I pozicionuar në pjesën më jugore të Norvegjisë, restoranti duket si një tub betoni i zhytur pjesërisht në detin e veriut. Ai quhet Under, që do të thotë “nën” në anglisht dhe “mrekulli” në gjuhën norvegjeze.

Atraksioni është dizenjuar nga firma arkitekturore Snoehetta, e njëjta që ka krijuar shtëpinë e Operas në Oslo dhe memorialin kombëtar të 11 shtatorit në Nju Jork.

"Struktura që kemi krijuar fillon mbi ujë e përfundon në det në formën e një gypi prej betoni. Mendoj se gjëja më interesante është pikërisht kalimi nga sipërfaqja nën ujë, ku ekspozohet bota e mrekullueshme që gjendet atje”, thotë Kjetil Thorsent, themeluesi i Snoehetta.  

Kur hyn në Under, duket fillimisht sikur je në sauna, pasi pjesa e sipërme e restorantit mbulohet me dru. Por shkallët prej 8 metra lartësi të çojnë në sallën e poshtme të ngrënies ku mund të ulen 40 të ftuar.

Si mure, shërbejnë dritaret transparente gjigante që ofrojnë pamje spektakolare të oqeanit. Themeluesi i firmës Snoehetta thotë se konstruksioni mund të përballojë motin ekstrem.  Një drekë ose darkë me ushqime vendase deti mund të kushtojë rreth 430 dollarë për person, përfshirë pijet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos