
Një tjetër vrasje është regjistruar në vendin tonë, kësaj radhe në qytetin e Shkodrës. Rreth orës 9 të mëngjesit të kësaj të hëne, është gjetur i ekzekutuar me armë zjarri 32-vjeçari Endri Mustafa. Viktima është gjetur pranë liqenit në lagjen Guerrile, në një rrugë pa krye dhe të vetmuar.
Nga këqyrja e trupit të 32-vjeçarit, ekspertët kanë konstatuar të paktën 5 plagë nga plumbat. Pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një pistoletë, si dhe 8 gëzhoja.
Viktima rezultonte i zhdukur prej tri ditësh dhe ka qenë nëna e tij që ka denoncuar në polici. Por pavarësisht kërkimeve, Mustafa është gjetur i pajetë. Grupi hetimori ngritur për këtë ngjarje, ka nisur mbledhjen e provave, ndërsa për zbardhjen e kësaj vrasje, pritet të verifikohet edhe e kaluara e tij.
Mustafa njihej për miqësinë e tij edhe me vëllezërit Bilali, të cilët u ekzekutuan në vitin2019, ndërsa më herët ai dhe vëllezërit Bilali ishin arrestuar pasi iu ishte gjetur një arsenal i tërë armësh. (A2 Televizion)