Idrizi: Nga kalorësi i Çamërisë, Rama u kthye në kalin e Trojës së Greqisë

Nga A2 CNN
20 Tetor 2020, 11:17 | Politikë
Idrizi: Nga kalorësi i Çamërisë, Rama u kthye në

Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kryesoi një protestë para Ministrisë së Jashtme, në ditën e vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Denidas, në Tiranë.

Palët janë përleshur me efektivët e Policisë së Shtetit, pasi protesta nuk kishte marrë autorizim për t’u zhvilluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Nga kalorësi i Çamërisë, u kthye në kalin e Trojës së Greqisë. Sot ka avancuar vetëm agjenda greke. Bën ligjin për toponimet. Na u refuzua leja për shkak të Covid-19. Por kur Edi Rama bën asamblenë e PS, Covid nuk është problem. Ndërsa që ne të vendoseshim me pankarta ishte problem. Nuk e zgjodhëm ne kohën për protestë, por ministri i Jashtëm, që erdhi në kohë Covid-i për të bërë presion”, tha Idrizi për mediat.

“Nëse kërkojnë 12 milje, i kanë në Prevezë dhe Artë. Më vjen keq edhe për gjithë punonjësit e policisë, nuk kemi ardhur aty për ata. Tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë. Do të vazhdojmë të protestojmë, nuk mund të lejojmë më që idiotët e dobishëm të Athinës në Shqipëri dhe eunukët që vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e shtetit shqiptar, të lejojnë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që "çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”.

Idrizi tha se Shqipëria i ka të përcaktuara dhe delimituara kufijtë tokësorë dhe detarë me Serbinë dhe Greqinë, që në vitin 1913, por sidomos me traktatin e vitit 1926, për delimitimin e ujërave të Shqipërisë dhe Greqisë. “Shqipëria me Greqinë ka për të biseduar vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Çdokush që thotë ndryshe pa dyshim që bën tradhti kombëtare ose është debil i lindur dhe i bindur i Athinës. Ne gjithmonë gjërat i marrim vesh nga mediat greke”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos