
Blerjet e energjisë elektrike në tregun e lirë kanë kapur shifrën e 278 milionë eurove përgjatë vitit 2021.
Muajt me sasinë më të lartë të energjisë së importuar rezultojnë tetori dhe nëntori, të karakterizuar nga një nivel i ulët i reshjeve dhe çmimet e larta në bursa.
Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE, vlera mesatare e blerjes për MWH mbetet e lartë, me luhatje të vogla në dhjetor, kur çmimi mesatar për megavat zbriti në 252 euro. Gjithsesi, kjo vlerë është 5 herë më e lartë se e vitit të kaluar.
Sipas ekspertit të ekonomisë Klodian Muço, duke parë impaktin e importeve të energjisë elektrike në vend, qeveria duhet të optimizojë konsumin e brendshëm dhe të marrë masa për reduktimin e përdorimit të energjisë.
Aktualisht, vendi ynë siguron vetë 2/3 e nevojave për energji elektrike nga hidrocentralet, ndërsa 1/3 blihet në tregun e lirë. (A2 Televizion)