Imuniteti i të shëruarve, Koraqi: Antitrupat deri në 6 muaj, të shtohen testimet në dimër

Nga A2 CNN
22 Shtator 2020, 13:58 | Aktualitet
Imuniteti i të shëruarve, Koraqi: Antitrupat deri në 6 muaj,

Të shëruarit nga koronavirusi kanë imunitet ndaj sëmundjes deri në 6 muaj. Kështu thonë studimet e fundit edhe pse niveli i antitrupave nuk është i njëjtë tek të gjithë të shëruarit.

Sa më rëndë të kalohet koronavirusi aq më i lartë është imuniteti i krijuar ose siç njihet ndryshe niveli i IGG pas testit serologjik.  

Andi Koraqi, shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT,  i shëruar prej kohësh nga virusi thotë se nga muaji në muaj antitrupat pësojnë rënie me 1 deri 2 njësi.

“Në dy raste që unë e kam bërë me të njëjtin test ka rezultuar se indeksi lëviz me 2 njësi. Deri këto momente mendohet se imuniteti zgjat 3-6 muaj. Është vërtetuar se sa më rëndë e kalon sëmundjen aq më të lartë e ke nivelin e antitrupave”, tha Koraqi.

Sipas studimeve, të shëruarit nga koronavirusi nuk janë infektues për të tjerët. Por sa mundësi kanë të preken sërish nga virusi?

“Në botë, deri tani janë 3 raste të konfirmuara dhe sëmundja e dytë ka qenë më e lehtë se e parë”, shpjegon shefi i laboratorit.

Me hapjen e shkollave dhe ndryshimin e temperaturave mjekët parashikojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike. Pas 1 muaji, thotë përfaqësuesi i komitetit të ekspertëve, shifrat ditore të të prekurve do të jenë më të larta.

Andi Koraqi propozon futjen e metodave te reja të testimit për të ndarë gripin nga koronavirusi.

“Numri i testimeve për mendimin tim duhet të rritet, madje duhet të futen dhe metodat e reja të testimit më të lehta se marrja e materialit me tampon. Ka nisur testimi masivisht me anë të pështymës që është më e kollajshme”, shtoi Koraqi.

Përfaqësuesi i komitetit të ekspertëve deklaron se pavarësisht situatës së pritshme në dimër, vendi nuk do të shkojë drejt një mbyllje tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos