
Imzot George Frendo, arqipeshkv mitropolit Tiranë-Durrës, në një lidhje direkte me studion e “Absolut 4”, u shpreh se “në Shqipëri ekziston më shumë se tolerancë, ekziston harmoni fetare”.
“Kemi qenë shumë të kufizuar në kremtimet tona, por ka pasur shumë pjesëmarrje. Kjo tregon se populli shqiptar është shumë besimtar dhe feja, nga vetë natyra e saj, duhet të shprehet, duhet të shpallet dhe të komunikohet. Për këto arsye bëhen kremtimet sepse njeriu e ndjen nevojë që të shprehë besimin e tij”, theksoi imzot Frendo.
Sipas tij, “nuk është e vërtetë se marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri janë të mira se “feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Unë them se populli shqiptar është shumë besimtar dhe fakti se komunizmi i Enver Hoxhës ishte në kuptimin e vërtetë një luftë kundër Zotit dhe besimeve, e ka bërë më shumë besimtar. Populli ishte shumë fetar pavarësisht propagandës së madhe”, deklaroi Frendo. (A2 Televizion)