
Lëvizja Socialistë për Integrim vijoi denoncimet sa i përket çështjes së inceneratorëve, duke dërguar të tjera materiale shkresore pranë SPAK, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Sipas Monika Kryemadhit, bëhet fjalë për vepra të ndryshme penale si “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal, “Mospagimi i Taksave dhe Tatimeve”, parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal, “Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. “Vlera totale e këtyre krimeve financiare të lidhura me inceneratorët, me aq sa ne kemi evidentuar, kap vlerën 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.
Ajo pohoi se u kanë vënë në dispozicion prokurorëve mbi 3600 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive që shefja e LSI i quan fiktive. “Të gjitha këto fatura që ne i kemi dorëzuar në SPAK, rezultojnë se janë fiktive, pasi kompanitë që prezumohet se do të ofrojnë shërbime ose punime, janë të krijuara posaçërisht për të justifikuar kostot e fryra të punimeve, përfitimin e TVSH-së dhe kanë shërbyer gjithashtu për reduktimin e tatim fitimit nga ana e kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos, e cila është nënkontraktori kryesor i të tre koncesioneve të inceneratorëve, i ngarkuar me detyrën për të ndërtuar inceneratorët”.
Dorëheqja e Kryeministrit është më e pakta, sipas Kryemadhit, ndërkohë që kërkoi nga drejtësia vendosjen para ligjit të të gjithë zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në skemën e inceneratorëve. (A2 Televizion)