
Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan aferë korruptive me inceneratorët. Sipas kësaj partie, Rama i ka dhënë oligarkëve 47 milionë euro nga inceneratorët fantazmë.
“Edi Rama po vjedh dhe po zhvat shqiptarët për t’u pasuruar vetë me ministrat dhe oligarkët e tij. Vetëm me skemën korruptive të inceneratorëve, Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro, duke i futur ato në xhepat e Klodian Zotos, bashkëpunëtorit të Arben Ahmetajt dhe administrator në tre inceneratorët. Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë skemë gjigande vjedhjeje është fakti se inceneratorët paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse 2 prej tyre as nuk ekzistojnë”.
Sipas Partisë Demokratike, inceneratori fantazmë i Fierit ka marrë deri tani 18 milionë euro, ndërsa ai i Tiranës 14 milionë euro. “Këto të fundit as nuk dihet në xhepat e kujt përfundojnë zyrtarisht, pasi kompania është e regjistruar në parajsë fiskale dhe pronari i vërtetë është i panjohur. 47 milionë euro të vjedhura me inceneratorët fantazmë dhe të paktën 8.5 milionë euro vetëm nga koncesioni i check up, që denoncuam dje, janë një pasuri e madhe që, në vend të investohen për shqiptarët, i shkojnë një grushti politikanësh dhe oligarkësh të korruptuar.
Pasurimi i paligjshëm është prioriteti absolut i Edi Ramës dhe mënyra e vetme për të mbajtur pushtetin e tij të paligjshëm. Për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi që pensionet nuk rriten, pagat nuk rriten, që të rinjtë dhe profesionistët po largohen nga vendi, që ekonomia është në krizë dhe biznesi i vogël lufton për mbijetesë”. (A2 Televizion)