
Pandemia e koronavirusit, krahas problemeve shëndetësore u shoqërua edhe me informacionet e rreme në popullatë. Infodemia shpërtheu në mbarë botën nëpërmjet disa individëve të caktuar, që kryesisht nuk kishin lidhje me profesionin e mjekut, por që ngritën teori konspirative.
Fillimisht qarkulluan dyshime për mosekzistencën e Covid-19, e më pas mitet për vaksinën anti-covid për përmbajtjen e saj.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë vijojnë fushatën dhe thirrjet që informacionet mbi pandeminë të orientohen nga profesionistët.
“Infodemia është një nga problemet kryesore që ka sjell pandemia e Covid-19. Nuk është një problem që ka lindur tani, normalisht ka ekzistuar edhe më parë, por që tani është shfaqur më tepër. Për herë të parë në historinë e informacionit ne po përpiqemi t’i vëmë rëndësi informacionit që po qarkullon në mediat sociale, në website. Ndryshe nga herët e tjera kjo është hera e parë që ne po e vendosim këtë politikë monitorime në të gjitha vendet e Europës. Një nga hapat e parë që duhet të bëjmë për informacionin e rremë dhe dezinformimin është monitori i informacionit”, u shpreh Cristiana Salvi.
Përfaqësuesit e OBSH u bënë thirrje mediave vizive dhe atyre të shkruara të punësojnë profesionistët e verifikimit të lajmit për të shmangur keqinformimin.
“Një nga mënyrat kryesore për të verifikuar informacionin është punësimi i “fact-checking”, njerëzit që bëjnë verifikimin e informacionit. Ne kemi punësuar shumë “fact checkers” të cilët konfirmojnë nëse një burim është i besueshëm, nëse një informacion është i verifikueshëm. Por kjo nuk mjafton, duhet parë aspekti kulturor, pra sa është i gatshëm një popull, një adiencë që ta pranojë këtë verifikim dhe spastrim të informacionit”, shtoi Salvi. (A2 Televizion)