
Askujt tek Inter nuk i kanë pëlqyer deklaratat e Wanda Nara-s në lidhje me të ardhmen e sulmuesit Mauro Icardi. Bashkëshortja dhe përfaqësuesja e lojtarit deklaroi një ditë më parë se ai do të qëndrojë në skuadër edhe për një sezon, pasi ka refuzuar shumë oferta.
Por adminsitratori i përgjithshëm i klubit zikaltër, Beppe Marotta, tha se këto nuk ishin komentet e duhura dhe shtoi se plani për të shitur Icardi-n nuk ka ndryshuar. “Na vjen keq që Wanda Nara ka bërë komente kaq irrituese, për kohën dhe mënyrën se si i ka bërë ato”, tha Marotta në mediat italiane. “Gjithashtu mund të mohoj kategorikisht që dikush t’i ketë thënë Icardi-t të qëndrojë tek Inter, sidomos jo Presidenti Steven Zhang”.
Ndërkohë, për të përforcuar deklaratat e Marotta-s, e përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” shkruan se ky i fundit ka kontaktuar me kolegun e tij juventin Fabio Paratici për të diskutuar mbi mundësinë e një shkëmbimi Icardi-Dybala. Gjithçka momentalisht është diskutuar vetëm përmes telefonit, por duke qenë se jemi në javën e fundit të merkatos, gjërat do të lëvizin shpejt, nëse shkëmbimi mes dy argjentinasve do të realizohet. (A2 Televizion)