Inter për finalen, Milan ëndërron përmbysjen e madhe

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 10:10 | Futboll
Inter për finalen, Milan ëndërron përmbysjen e madhe

Sot në mbrëmje do të mësohet dhe finalisti i parë i Champions League. Inter dhe Milan përballen në ndeshjen e kthimit të Euroderbit në një sfidë ku spektakli dhe emocionet janë të garantuara.

Zikaltrit vijnë me avantazhin 2-0 në ndeshjen e parë, megjithatë ende nuk kanë siguruar asgjë. Lajmi i mirë për teknikun Stefano Pioli është rikthimi i yliit të skuadrës, Rafael Leao, ndërkohë mungesë e sigurtë është ajo e Benaccer, i cili u dëmtua në aktin e parë.

Nga ana tjetër, tekniku Inzaghi do të bëjë llogaritë vetëm pa Milan Skrinjar, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion dhe në gjendje të mirë fizike.  

"Ekipi po përgatitet në mënyrën më të mirë, janë të vendosur për të bërë më mirë dhe për të fituar ndeshjen. Leao? Gjendja e tij është më mirë. Ne kemi një objektiv të rëndësishëm në mendje, të fitojmë ndeshjen për t’u kualifikuar në finale siç askush nuk do ta kishte parashikuar ndonjëherë. Tani më shumë se kurrë. E di që mund të luajmë një ndeshje të madhe’’, tha trajneri Pioli.

“Si trajner e përgatis çdo lojë në të njëjtën mënyrë. E dimë se është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Interit, por kjo nuk na e shton presionin. Kemi një avantazh mëse të merituar nga ndeshje e parë, por kjo nuk do të thotë që do të luajmë vetëm në mbrojtje. Duhet të luajmë në mënyrën që vetëm Inter di, duke e ditur se kemi një ekip të forte përpara”, u shpreh Inzaghi.

Ndeshja Inter-Milan do të luhet në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos