Intervista për Kathimerini, Rama: Jo krenar për fjalët ndaj Belerit, Mitsotaqis mbetet mik

Nga A2 CNN
27 Gusht 2023, 14:36 | Politikë
Intervista për Kathimerini, Rama: Jo krenar për fjalët ndaj

Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, Kryeministri Rama pohoi se nuk është ofenduar me homologun e Athinës për ftesën e munguar në takimin e pak ditëve më parë me liderët e Ballkanit.

“Politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai) e as nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë. Madje, për më tepër, mendoj se qëllimi i takimit dhe e nismës që ndërmori Qirjakosi lidhet me diçka shumë të madhe shumë të madhe”, tha Rama.

Lidhur me çështjen Beleri, ai pohoi ishte penduar për disa nga sulmet verbale ndaj kandidatit opozitar, gjatë fushatës elektorale, por mohoi që të kishte ndikuar në arrestimin e tij.

“Kam thënë disa gjëra për të cilat realisht nuk ndihem mirë, por nuk ndihem mirë, sepse kjo u lidh me atë që ndodhi, që nuk ka fare lidhje, fare. Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”, shtoi kryeministri.

Rama tregoi gjithashtu se nëse do të ekzistonin hapësirat ligjore, ai kishte vullnetin politik që Beleri të mos e humbasë mandatin e kryebashkiakut të Himarës, deri sa drejtësia të shprehet mbi akuzat e ngritura ndaj tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos