Intriga e dopingut, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të vendosë për Valievën

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2022, 16:14 | Sporte të tjera
Intriga e dopingut, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të vendosë

Vendimin nëse Kamila Valieva do të vazhdojë apo jo të konkurrojë në Olimpiadën Pekin 2022 do ta marrë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë. Njoftimi u dha nga Agjencia Ndërkombëtare e Testimeve për substanca të ndaluara.

Ky organ konfirmoi zërat, sipas të cilëve, patinatorja e talentuar kishte rezultuar pozitive me trimetazidinë, gjatë testimeve të zhvilluara dhjetorin e kaluar në kampionatin kombëtar në Rusi. Bëhet fjalë për një substancë e cila shërben për të kuruar problemet e zemrës me qarkullimin e gjakut, por që prej vitit 2015 është kategorizuar si doping.

https://a2news.com/2022/02/10/patinazh-artistik-perendesha-ruse-kamila-valieva-ne-furtunen-e-dopingut/

Testi u analizua edhe në laboratorin e Agjencisë Ndërkombëtare të Anti-Dopingut në Zvicër, më 8 shkurt, vetëm një ditë pasi Valieva ishte vendimtare në triumfin e skuadrës ruse në garën e patinazhit artistik.

Në situatën e krijuar, vendimin përfundimtar do ta marrë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë. Synimi është që çështja të zgjidhet sa më shpejt, edhe për të kuptuar nëse Valieva do të jetë në gjendje që të marrë pjesë në garën individuale të 15 shkurtit, në patinazh.

Nëse shpallet fajtore, fenomeni 15-vjeçar do të përjashtohet nga Lojërat Olimpike. Ndërkohë, Komiteti Olimpik Rus reagoi në mbrojtje të Kamila Valievës, duke deklaruar se sportistja ka kaluar disa testime anti-doping në periudhën nga 25 dhjetori 2021, deri në testet e zhvilluara në Pekin, përpara konkurimit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos