
Kamila Valieva, kampionia 15-vjeçare ruse e patinazhit artistik është përfshirë në skandalin e dopingut. E cilësuar si më e mira në historinë e këtij sporti, protagoniste në medaljen e artë të Rusisë në garimin ekipor dhe favorite për triumfin në eventin individual, ajo rezultoi pozitive me trimetazidinë. Bëhet fjalë për një substancë që shërben për të kuruar problemet në zemër dhe që prej vitit 2015 është përfshirë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut.
Ngjarja u konstatua në momentin kur ishte parashikuar të shpërndaheshin medaljet e Lojërave Dimërore “Pekin 2022”. Rusia, që për shkak të dënimit për doping shtetëror garon nën flamurin e Komitetit Olimpik, duhej të merrte medaljen e artë, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Japonia plotësonin podiumin.
Por, ceremonia nuk u krye dhe sipas Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, vonesa lidhej me një “problem ligjor” dhe premtoi që situata do të zgjidhej sa më shpejt. Duke qenë se pezullimi i dorëzimit të medaljeve vazhdon, u shtuan zërat, sipas të cilave, Kamila Valieva rezultoi pozitive me doping.
Perëndesha e patinazhit, kampione e Europës në fuqi dhe protagoniste e paraqitjeve dukshëm superiore ndaj rivaleve, me lëvizje të ralla apo të parealizuara më parë në Olimpiadë, përfundoi në qendër të akuzave. Sipas mediave ruse, 15-vjeçarja ishte pozitive, përpara udhëtimit në Kinë, madje edhe përpara medaljes së artë europiane në janar.
Trimetazidina është një substancë që shërben për të parandaluar isheminë dhe që kuron marramendjen. Edhe pse Valieva ka recetë mjekësore, përdorimi i substancës mund ta përjashtojë nga Lojërat. Problemi ligjor lidhet me moshën e patinatores. Sipas rregullave të antidopingut, një sportist minoren deri në 16 vjeç nuk mund të akuzohet formalisht për përdorim të substancave të ndaluara. Misteri do të zgjidhet vetëm në orët në vazhdim. (A2 Televizion)